Përbërësit:
• 250 gr gjalpë lope pa kripë
• 2 filxhanë çaji (filxhanë nga ata te dikurshmit me vëllim rreth 240 ml, që nuk janë shumë të mëdhenj) miell gruri për çdo përdorim
• sheqer pluhur (gjysmë filxhan çaji për brumin dhe 1 filxhan për të lyer biskotat nga jashtë), ka në supermarket paketim gjysmë kg nga Neranxi.
• 140 gr bajame (rreth një filxhan çaji)
• Vanilje (1 zarf vanilje me sheqer)
Përgatitja:
Gjalpi duhet të jetë i zbutur në temperaturë ambienti. Bajamet i vendosim në ujë të nxehtë për 15 minuta derisa të mund t’ju hiqet kollaj lëkura. Pasi i kemi pastruar te gjitha nga lëkura, i pjekim në furrë te nxehtë derisa të marrin pak ngjyrë, rreth 10 minuta.
Më pas i grijmë hollë në blender (duhet të bëhen si miell i trashë). Përziejmë miellin, sheqerin pluhur, vaniljen dhe bajamet e grira. Më pas shtojmë gjalpin duke e ndarë copa-copa. Me duar përziejmë dhe gjalpin me përbërësit e tjerë derisa të formohet një brumë homogjen.
Mbulojmë një tepsi me letër furre dhe përgatisim biskotat në formë topthash të vegjël. Madhësia duhet të jetë pak më e madhe se një kokërr arre. Duhen vendosur 2-3 cm larg njëra tjetrës që të mos ngjiten gjatë pjekjes.
Biskotat piqen në furrë të parangrohur në 170-180 gradë për 20-25 minuta. Nuk është problem nëse ju duken pak të buta kur i nxirrni nga furra.
Pasi janë pjekur i heqim me kujdes nga tepsia që të mos thërmohen dhe i lemë të ftohen për 2-3 minuta. Pasi janë ftohur pak, i lyejmë me sheqer pluhur.
Ju bëftë mirë!
© 2021 – 2023, EMATHJA. All rights reserved.