NBA, disfatë e kampionëve në fuqi, Durant humb toruan

spot_imgspot_img

Dyshja Durant – Harden udhëhoqi Nets drejt suksesit të katërt sezonal, teksa Brooklyn mundi thellë ekipin e Detroit Pistons 117-91. Skuadra e drejtuar nga kanadezi Steve Nash kishte favorin për të luajtur plot gjashtë ndeshje radhazi në shtëpi, megjithatë triumfi ndaj franchise-t nga Michigani është vetëm i treti për Nets gjatë kësaj faze, duke pasur parasysh humbjet brenda me kundërshtarë si Charlotte Hornets dhe Miami Heat, ndërkaq takimin e fundit të kësaj periudhe Brooklyn do ta ketë mëngjesin e ditës së enjte me skuadrën e Atlanta Hawks.

Vendasit u paraqitën në Barclays Center përpara 13.507 spektatorëve me bilancin e barabartë 3 fitore e 3 humbje dhe pa tre lojtarë si Kyrie Irving, Paul Millsap dhe Nicolas Claxton, gjithsesi Nets dominuan takimin gjatë gjithë kohës, duke regjistruar triumfin e tretë rresht ndaj Pistons dhe të pestin radhazi në shtëpi ndaj skuadrës së Detroitit.

Përvec dy avantazheve të fillimit 2-1 dhe 4-3, miqtë barazuan gjithashtu edhe tri herë në fillimin e fraksionit të dytë të ndeshjes, me shifrat 28-28, 30-30 dhe 32-32, sidoqoftë pas këtyre momenteve ekipi i Brooklynit mori kryesimin dhe u shkëput ndjeshëm, për të fituar në fund me rezultatin e thellë 117-91.

Ylli i Nets, Kevin Durant, u pa shumë nervoz dhe 3’ 23” para fundit të periodës së tretë 33-vjeçari nga Washington D.C. goditi me bërryl në fytyrë basketbollistin kanadez të Pistons, Kelly Olynyk. Gjyqtarët e takimit nuk patën asnjë rrugë tjetër përveçse ta përjashtonin lojtarin veteran, që është shpallur për plot katër sezone si pikëshënuesi më i mirë në kampionatin më spektakolar në rruzull.

Durant e mbylli mbrëmjen me 23 pikë, ndërkohë James Harden regjistroi të parën “triple–double” të sezonit dhe të 59-tin në karrierë, teksa e përfundoi takimin me 18 pikë, 10 topa të rekuperuar dhe 12 asist, në diçka më pak se gjysmë ore lojë.

Po në Konferencën e Lindjes kampionët në fuqi regjistruan humbjen e tretë rresht, për më tepër në shtëpinë e tyre. Pas dy disfatave radhazi me Minnesota Timberwolves dhe San Antonio Spurs ekipi i Milwaukee-t këtë herë u mund brenda nga Utah Jazz. Franchise nga Salt Lake City dominoi takimin nga fillimi në fund, duke triumfuar me rezultatin 107-95.

Në “Fiserv Forum”, përpara 17.341 të pranishmëve, 26-vjeçari Giannis Antetokounmpo e përfundoi sfidën me 25 pikë, sidoqoftë pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes në fund rezultoi lojtari i Utah, Donovan Mitchell, që realizoi 28 pikë në diçka më pak se 33’ lojë. Kjo është humbja e 4-t në 7 ndeshjet e para të këtij sezoni për trajnerin Mike Budenholzer, që në këtë takim nuk pati në dispozicion lojtarët Khris Middleton, Jrue Holiday dhe Brook Lopez.

Riaftësimi i Mbretit James riktheu menjëherë qetësinë në kampin e Los Angeles Lakers dhe franchise kalifornian siguroi fitoren e dytë në harkun e vetëm 50 orëve. Pas suksesit ndaj Cleveland Cavaliers, këtë radhë “liqenorët” mposhtën brenda në “Staples Center” përpara 16.448 spektatorëve ekipin e Houston Rockets.

Me përjashtim të dy avantazheve të para në start të skuadrës teksane ndeshja u kryesua gjithë kohën nga ekipi i drejtuar nga trajneri Frank Vogel. Pikëshënuesi më i mirë në fitoren e 4 në 7 sfidat e para të sezonit u shpall veterani Carmelo Anthony. Sulmuesi 37-vjeçar njujorkez realizoi 23 pikë në diçka më pak se 25’ që qëndroi gjithsej në parket, 15 prej të cilave nga jashtë harkut, ndërsa basketbollisti tjetër i Lakers, Russell Westbrook, e përfundoi ndeshjen me 20 pikë, 8 rebound e 9 asist.

Spikati gjithashtu edhe “ylli” slloven Luka Doncic, që udhëhoqi ekipin e Dallas Mavericks drejt fitores së katërt në këto gjashtë ndeshje të para të sezonit. Pas disfatës së rëndë me 31 pikë diferencë në Colorado nga Denver Nuggets basketbollistët e ekipit teksan u kthyen në parket pas vetëm 37 orëve, për të mundur me rezultatin 105-99 skuadrën e Sacramento Kings.

Në “American Airlines Center” të Dallasit, përpara 19.231 spektatorëve avantazhin e vetëm miqtë nga Kalifornia e morën në mesin e 12’ të tretë me shifrat 60-59, gjithsesi në fund si zakonisht diferencën e bëri pikërisht 22-vjeçari nga Ljubljana, që e përfundoi takimin me 23 pikë, 8 rebound e 10 asist.                                    

 

 

 

 

/ www.emathja.com

© 2021 – 2022, Emathja.com. All rights reserved.

Abonohu

spot_imgspot_img

Te ngjashme

spot_imgspot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu