Sigurimi i Europës, pastaj merkatoja, Partizani s’duhet të bëjë gabimet e së shkuarës

spot_imgspot_img

Kastrioti në shtëpi dhe pastaj Laçi në transfertë. Partizani në sprintin final për Europën, nga dera kryesore, vendi i tretë pa patur nevojë për të parë verdiktin e finales së Kupës. Për ta ruajtur, të kuqve u duhen 4 pikë në dy ndeshjet e fundit të këtij kampionati, pa parë rezultatet e ndjekësve, Vllaznisë dhe Kukësit, ndaj të cilit kanë bilanc pozitiv në përballjet direkte dhe është i favorizuar në rast se përfundojnë kampionatin me pikë të barabarta.

Një objektiv që, në fillim të këtij viti, dukej thuajse i pamundur për të kuqtë, që kanë rikuperuar terren në klasifikim dhe tani janë në “pole position” për të siguruar pjesëmarrjen në Conference League. Një arritje për prestigjin sportiv dhe të ardhmen, duke qenë se garanton të ardhura të rëndësishme për vazhdimësinë.

Nën drejtimin e Dritan Mehmetit skuadra ka treguar se ka brumin për të bërë diçka të madhe sezonin që vjen, dhe vetë tekniku pranon se ekzistojnë bazat për një projekt fitues, natyrshëm në bashkëpunim me hallkat drejtuese të klubit, ku zërat e merkatos nuk kanë munguar, duke nisur nga mundësia e largimit të Stenio Junior, një rinovim i mbetur pezull me kapitenin Alban Hoxha apo dhe interesimi për ish-sulmuesin e Shkëndijës së Tetovës, Besart Ibrahimi.

Megjithatë, historia e afërt duhet të shërbejë edhe në këtë drejtim si një mësim, sa herë që revolucioni i kuq ka qenë masiv, Partizani ka hasur vështirësi. Si në fillim të këtij sezoni, kur ishin ndryshimet e shumta që kushtëzuan një ecuri poshtë pritshmërive në dy fazat e para. Ndoshta pak elementë por të spikatur për t’iu shtuar një skuadre, ku cilësia nuk mungon, do të ishin receta e duhur për të parë një Partizan në garë për titullin sezonin e ardhshëm.

 

/ www.emathja.com

© 2022, Emathja.com. All rights reserved.

Abonohu

spot_imgspot_img

Te ngjashme

spot_imgspot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu