Intel është përpjekur vitet e fundit të rikthehet në ditët e saj të lavdishme dhe ripozicionuar si lideri në industrinë e çipeve. Procesi prodhues i gjeneratës së ardhshme, zakonisht referuar si 18A, raportohet se ka dështuar testimet më të rëndësishme, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Zhvilluesi i gjysmëpërçuesve Broadcom ka ndihmuar në kryerjen e këtyre testimeve si pjesë e një procesi vlerësimi për një porosi të mundshme tek Intel.
Raporti thotë se Intel i dërgoi Broadcom vaferë silikoni të cilët janë komponentë që përdoren në formën e një baze gjysmëpërçuesi, ndërtuar mbi procesin 18A i cili duhet të rrisë efikasitetin.
Broadcom nuk ka qenë i kënaqur me rezultatet duke sugjeruar se procesi prodhues i Intel nuk është gati për prodhim në volume të larta.
Intel kishte planifikuar të përdorte këtë proces prodhues për të prodhuar çipe për partnerë të mëdhenj si Microsoft duke filluar nga viti i ardhshëm. Pavarësisht këtyre rezultateve zhgënjyese, kompania mendon se ende objektivi kohor është i arritshëm.
“Intel 18A është një proces i shëndoshtë dhe mbetemi të përkushtuar për të nisur prodhimin në volume të larta vitin e ardhshëm,” tha një përfaqësues i kompanisë për Reuters.
Nuk është aspak sekret fakti se Intel ka humbur terren në një industri që dikur e dominonte. Së fundi raportoi 1.6 miliardë dollarë humbje për tre mujorin e dytë të 2024 dhe kjo çoi në largimin e 1,500 punonjësve. Gjithashtu është përballur me probleme stabiliteti me gjeneratën e 13-të dhe 14-të të procesorëve.
/PCWorld Albanian
/ www.emathja.com
© 2024, EMATHJA. All rights reserved.