Aktualisht, 31 për qind e popullsisë në Gjermani është e prekur nga ndonjë sëmundje psikike. Kaq shumë të prekur ka edhe në Kinë dhe Tajlandë. Në Shtetet e Bashkuara, deri në 40 për qind e popullsisë vuan nga ndonjë sëmundje si depresioni, ankthi ose çrregullimet e të ngrënit. Ky është rezultati i një sondazhi të bërë nga instituti ndërkombëtar i sondazheve të opinionit publik Ipsos. Hulumtimi është porositur nga kompania gjermane e sigurimeve AXA, e rezultatet janë publikuar në Raportin e Shëndetit Mendor 2024. Hulumtimi anketoi 1000 njerëz nga secili prej 16 vendeve në Evropë, Azi dhe Amerikën e Veriut për shëndetin e tyre mendor. Krahasuar me vitin 2023, vihet re se në shumicën e vendeve situata është përkeqësuar në vitin 2024.
Sipas këtij raporti, 43 për qind e të gjithë të anketuarve nga mosha 18 deri në 24 vjeç deklaruan se kanë probleme psikike. Sëmundjet më të shpeshta janë depresioni, nga i cili vuajnë 22 për qind e të anketuarve, pasuar nga ankthi, fobitë apo çrregullimi i stresit post-traumatik, nga i cili vuajnë edhe 22 për qind e të anketuarve. Sa më të vjetër të jenë të anketuarit, aq më pak të zakonshme janë sëmundjet mendore. Vetëm 14 për qind e të anketuarve të moshës 65 deri në 75 vjeç deklaruan se vuajnë nga ndonjë çrregullim si depresioni, fobitë dhe të ngjashme.
/ www.emathja.com
© 2024, EMATHJA. All rights reserved.