Mbi 6000 njerëz kanë nënshkruar një peticion në internet duke kërkuar kthimin e një mace në një dyqan ushqimor në qytetin e Zelenogradsk, në rajonin e Kaliningradit të Rusisë. Macja kishte kaluar tre vitet e fundit duke jetuar në dyqan dhe ishte bërë një personazh i famshëm përpara se të ndalohej nga autoritetet lokale shëndetësore, pas një ankese anonime. Menaxherja e dyqanit Tatiana për Reuters u shpreh se macja, të cilën e quajtën Sergei për shkak të leshit gri, i përkiste një gruaje të moshuar, por ajo humbi jetën.
“U shfaq para tre vjetësh. Në muajin gusht filloi të vinte, dhe ne filluam ta ushqenim. Ai vinte, rrinte pak dhe ikte. Pastaj u bë më ftohtë, filloi të rrinte më gjatë dhe kur erdhën ngricat, natyrshëm nuk mundëm ta nxirrnim dhe ai nuk donte më të ikte, vazhdoi të rrinte këtu. Dhe kështu ai qëndroi këtu përgjithmonë. Le ta them me shaka u bë punonjësi ynë”.
Sipas mediave lokale, në më pak se dy vjet Sergei është bërë një personazh i famshëm falë videove të shumta virale në mediat sociale. Ai u shfaq në disa reklama dhe fitoi titullin “punonjësi i vitit” dhe madje mori menaxherin e tij personal. Por karriera befasuese e Sergeit mund të ketë marrë fund pasi një ankesë anonime për të u dërgua në departamentin lokal të sigurisë së konsumatorit Rospotrebnadzor. Zyrtarët urdhëruan dyqanin ta largonte macen ose do të përballej me gjoba.
“Ne e trajtuam atë si një kafshë shtëpiake, e vaksinuam, e dezinfektuam. Por kur erdhi momenti dhe zyrtarët e ndaluan Sergein nga dyqan ne nuk mund të shkonim kundër rregullave”. Por banorët vendas dhe turistët, të cilët vunë re mungesën e Sergeit, vendosën të mos hiqnin dorë prej tij. Ata kanë nisur një peticion në internet duke kërkuar që macja të kthehet në dyqan. “Njerëzit filluan të vinin dhe vendosën të fillonin të mblidhnin nënshkrime për ta rikthyer Sergein. Pastaj njerëz nga e gjithë Rusia filluan të më telefonin çdo ditë dhe më kërkuan të hapja një peticion në internet, por as këtë nuk mundëm ta bënim. Kështu që peticioni është ngritur nga vetë njerëzit këtu”.
Qyteti i Zelenogradsk është i njohur për numrin më të madh të maceve endacake. Banorët vendas dhe turistët blejnë ushqim për ato, ndërsa ka edhe nga ata që i marrin në shtëpi.
/ www.emathja.com
© 2024, EMATHJA. All rights reserved.