Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, në interpelancë për ligjin e zonave të mbrojtura, tha se ky ligj zgjidh problemet në territor.
“Dhe filtrat që parashikon ligji në mbrojtje janë shumë të qartë, që nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura, te Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, te Keshilli Kombetar i Territorit, roli i të cilit ishte dhe në ligjin pararendës, dhe deri te Vendimet e Këshillit te Ministrave si shkallë dhe garanci të masave të duhura në mbrojtje dhe të garantimit të ndërhyrjeve që lejohen vetëm në funksion të mjedisit dhe të projekteve të turizmit elitar dhe miqësore me mjedisin. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit konstaton se – pavarësisht se shumë zona të mbrojtura në vendet e Bashkimit Evropian administrohen nga Bashkitë dhe administratat vendore rajonale, Shqipëria duhet të vijojë ta mbaje të përqëndruar te Agjencia e Zonave të Mbrojtura kontrollin dhe administrimin e këtyre zonave, gje që tashmë ligji i amenduar e garanton”, sqaroi Kumbaro.
Në vijim të fjalës së saj, Ministrja Kumbaro përmendi edhe gjithë vendimet e mazhorancës që ndër vite e kanë rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të territorit të Shqipërisë.
“Është kjo mazhorancë politike që vendosi kritere dhe kontroll në mbrojtje të territorit, është kjo qeveri që, në vijim të vendimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit të vitit 2020, duke nisur nga janari i vitit 2022 i dhamë për herë të parë Vjosës statusin e zonës së mbrojtur për ta shpallur në atë kohë Park Natyror; luginën e Shalës po ashtu e bëmë pjesë për herë të parë të zonave të mbrojtura me statusin Park Natyror; bashkuam Thethin, Valbonën, Lumin e Gashit duke krijuar Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, nga Shkodra e Malësia e Madhe deri në Tropojë, me një sipërfaqe të dyfishuar; shpallëm Malin e Munellës Park Natyror; Syrin e Kaltër po ashtu nga thjesht monument natyre, i dhamë statusin e Parkut Natyror të gjithë zonës duke e zgjeruar përreth në një sipërfaqe 290 hektarë; Po kështu u zgjerua Parku Natyror i Ulzës; Parku Natyror i Zagorisë që më parë nuk ka qenë fare zone e mbrojtur. Pra për ta thënë shkurt, u rrit sipërfaqja e zonave të mbrojtura nga 17,5% në 21,5% të territorit të Shqipërisë, me 12 Parqe Kombëtare, 718 Monumente Natyre, 23 Parqe Natyrore. Dhe arsyeja se përse po i përmend shumë shkurtimisht, është vetëm për të kujtuar se mbrojtja e pasurive natyrore të Shqipërisë ka qenë dhe vijon të jetë vizion i kësaj qeverie, është vullnet, është ekspertizë dhe sigurisht është guxim. Sepse nuk është e lehtë që, në një vend të vogël si Shqipëria, me nevoja të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik e punësim dhe me plagë të rënda sociale për shkak të kusureve të historisë, të mbrosh zona të tëra natyrore. Ky është vizion drejt zhvillimit të qendrueshëm dhe një shenjë emancipimi e maturie shoqërore e politike e vendit”, tha Kumbaro.
Sa i takon ligjit, Kumbaro sqaroi se është në përputhje me standardet ndërkombëtare të Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës (IUCN) ku Shqipëria u anëtarësua për herë të parë në vitin 2024. “Ligji i amenduar është në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit siç janë ato të IUCN dhe direktivave Europiane përkatëse, dhe mbi të gjitha me frymën e kohës, për të arritur ekuilibrin e nevojshëm mes mbrojtjes së natyrës, biodiversitetit”.
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa mes ironisë theksoi tha se sipas saj, ministrja Kumbaro nuk ka dhënë asnjë argument se çfarë të mire japin investimet në zonat e mbrojtura dhe se sipas saj këto investime bëhen në të mirë të oligarkëve.
“Nuk kishit asnjë argument pse janë të rëndësishme investimet në zonat e mbrojtura dhe çfarë të mire a japin .Ju i keni projektet propagandë 4 D dhe vjedhjet 5 D. Uroj që për zonat e mbrojtura uroj që mos të keni përgatitur një vjedhje 5 M, me 5 ministra që kanë përgatitur zonat e mbrojtura. Nuk përbën ndonjë diferencë. I keni rrudhur zonat e mbrojtura, keni bërë vetëm propagandë. Ju keni future te zonat e mbrojtura vetëm rrjedhën e Lumit Vjosa, por jo shtratin përeth. Ne nuk jemi kundër investimeve turistike, por jo në zonat e mbrojtura, le t’i bëjnë në kufi me zonat e mbrojtura. Na thoni se çfarë e mirë i sjell vendit kur shkatërron zonat e mbrojtura. T’i japësh falas tokën publike, zonën e mbrojtura, për ta shkatërruar, këtë se mbrojte dot zonja ministre. S’keni lidhje me realitetin. Ligjin se keni bërë për Andin, vetëm po pati ndonjë mbiemër oligarku”, tha Zhupa.
Top Channel
© 2024, EMATHJA. All rights reserved.