Nvidia prezantoi një treshe të re kartash grafike në panairin vjetor të teknologjisë CES 2024. Kompania solli brendin “Super” tek seritë RTX 40 pasi e prezantoi për herë parë me kartat grafike RTX 20.
RTX 4070 Super, RTX 4070 Ti Super dhe RTX 4080 Super kanë secila specifika të ndryshme por vinë për të adresuar disa prej disavantazheve të modeleve jo-Super.
Këto karta grafike janë çfarë seritë RTX 40 duhej të kishin qenë që në krye të herës.
Mbase karta grafike më interesante e modeleve të reja prezantuar ditën e Hënë ishte RTX 4080 Super.
Modeli origjinal RTX 4080 kushton 1200 dollarë dhe ishte ndërtuar mbi çipin grafik “AD103” por kishte dy grupe SM të çaktivizuara. RTX 4080 Super vjen për të aktivizuar dy SM e fundit së bashku me memorie më të shpejtë prej 23Gbps, dhe ofruar performancë mes 2 deri në 3 përqind më shumë sesa RTX 4080.
Në letër diferencat nuk duken të mëdha por çfarë ka tjetër të veçantë kjo kartë grafike? Modeli origjinal RTX 4080 kushtonte 1200 dollarë ndërsa RTX 4080 Super kushton 1000 dollarë dhe del në shitje më 31 Janar.
Kushton po aq sa Radeon 7900 XTX, rivali direkt i RTX 4080 ndërsa varianti Super përpiqet të konkurrojë me kartën grafike të AMD.
Në mesin e kartave grafike që mezi presim të shohim sesi do të performojë është RTX 4070 Ti Super. Ka të njëjtin çmim 799 dollarësh si RTX 4070 Ti por Nvidia adresoi problemin më të madh të modelit origjinal: konfigurimin e memories.
RTX 4070 Ti mori shumë vlerësime negative për shkak të gjerësisë së memories prej 192-bit duke dëmtuar rëndë eksperiencën gaming në 4K. Gjithashtu RTX 4070 Ti kushtonte 100 dollarë më shumë sesa karta grafike e shkëlqyer e gjeneratës së kaluar RTX 3080 dhe 200 dollarë më shumë sesa ekuivalenti RTX 3070 Ti.
Ofronte 14 përqind më shumë performancë sesa 3080 në 4K dhe 20 përqind në 1440p për një çmim 14 përqind më të lartë. Gjerësia e memories së 4070 Ti cenoi rëndë lojërat në 4K duke ofruar eksperiencë të ngjashme me një RTX 3060, diçka e papranueshme për një kartë grafike 799 dollarëshe.
Nvidia nuk e preku çmimin e RTX 4070 Ti Super por adresoi problemin e memories duke vendosur çipin grafik AD103 të 4080 në të. Jo vetëm që sjell një rritje performance me 10-11 përqind krahasuar me RTX 4070 por ofron 16GB VRAM (nga 12GB që kishte 4070 Ti) dhe gjerësi memorie prej 256-bit (nga 192-bit që kishte 4070 Ti.)
Kur të dalë në shitje më 24 Janar, karta grafike pritet të shkëlqejë në 1440p dhe 4K.
/ www.emathja.com
© 2024, EMATHJA. All rights reserved.