- Ndoshta duhet të kemi keqardhje për Damien Hirstin. Rënia artistike është fat i tmerrshëm, edhe nëse keni pasuri të pamasë për ta zbutur goditjen. Cili artist, cili person dëshiron të mendojë se gjithë gjërat e mira, shkëlqimi, janë në të kaluarën? Por, Hirsti me sa duket kështu mendon. Vështirë se mund ta rrëfente këtë më qartë sesa duke i datuar në vitet 1990 skulpturat e kafshëve në formaldehid – të cilat i ka bërë në vitin 2017, siç kanë treguar sinjalizuesit për The Guardian.
I riu Damien Hirst jetoi shpejt dhe mendonte vazhdimisht për vdekjen. Në moshën 16-vjeçare pozoi në një foto me një kokë të prerë në një morg të Lidsit. Si artist në zhvillim e sipër, doli me një qasje krejtësisht të re mbi temën e lashtë memento mori, duke vendosur kafshë të ngordhura, përfshirë një tigër-peshkaqen 427 centimetra të gjatë, në rezervuarin me formaldehid [Pamundësia fizike e vdekjes në mendjen e dikujt që jeton], dhe duke e ekspozuar atë si art. Mosmarrëveshjet mbi faktin nëse objektet e gatshme mund të bëhen art, u zbehën në parëndësi përpara se Hirsti të na përkujtonte për brishtësinë tonë si njerëz prej mishi – dhe atë për një brez që ishte rritur me nofullat [filmi Jaws], ky ishte një makth që po merrte jetë.
Ishte Hirsti ai që m’u kujtua, jo Rembrandti, teksa ecja drejt një spitali të Liverpulit ku nëna ime bënte një operacion në zemër në vitet 1990. Ia kam thënë Hirstit këtë. Gjithashtu, i thashë – me sinqeritet në një bisedë në Zoomgjatë pandemisë – se ai më ndihmoi për t’u frymëzuar e për t’u bërë kritik i artit. Ai peshkaqen ma ndryshoi jetën. Dhe, nuk isha i vetmi që e doja dhe që u preka nga Hirsti në vitet 1990. Në retrospektivën e tij në Tate në vitin 2012, kishte nëna që kafshët e tij të frikshme e të qeta ua tregonin vajzave të vogla – njerëzit e viteve 1990 ndanin me fëmijët ndjenjat që këto skulptura të frikshme kishin krijuar në atë kohë. Megjithatë, tani ne e dimë se Hirsti e ka shkatërruar atë të kaluar të lavdishme, duke bërë vitrina të reja të kafshëve, në vitin 2017, dhe duke ua dhënë atyre datat që sugjerojnë se janë bërë dy dekada më parë.
Nëse keni parë ndonjëherë diçka në artin e tij, dhe unë kam parë shumëçka, nuk mund të mos ndiheni të tradhtuar.
Dy nga veprat që ua vuri datat më të hershme, Kaini dhe Abeli, dhe Miti i eksploruar, i shpjeguar, i eksploduar, bëjnë punë të mirë duke simuluar, me sa duket, cilësitë që dikur e bënin Hirstin të veçantë. E treta, Pëllumbi, është më pak mbresëlënës, por edhe seritë e fillimit të viteve 2000 të zogjve në turshi, të viteve të cilave pretendon se kjo vepër i përket, e shfaqnin një Hirst që po tkurrej në vetëparodi.
A mund ta tregoj ndryshimin në cilësinë dhe rëndësinë midis dy viçave të Kainit dhe Abelitkrah për krah, “vëllezërit” të mbajtur të ndarë në tanket e tyre të veçanta të cilat Hirsti i daton në vitin 1994, dhe veprave aktuale nga ajo periudhë duke përfshirë Nënën dhe fëmijën (Të ndarë) që atij ia dha çmimin Turner më 1995? Jo, meqë një bishë në turshi duket vërtet si një tjetër. Hirsti tani pohon se disa nga datat që ai ia dha veprave të tij në formaldehid, e tregojnë vitin e krijimit, ndërsa të tjerat lidhen me vitin e konceptimit. Megjithatë, ndërrimet e çuditshme kohore të zbuluara nga Guardian-i, kërcënojnë të helmojnë të gjithë biografinë artistike të Hirst.
/ www.emathja.com
© 2024, EMATHJA. All rights reserved.