Ka dallime të mëdha në të ardhurat në Evropë. Popullsia e vendeve perëndimore dhe nordike ka të ardhura mesatare më të larta se popullsia e Evropës Jugore dhe Lindore, shkruan Euronews. Sipas indeksit të kompanisë së investimeve “Legatum” për vitin e fundit, dy të tretat e vendeve me të ardhurat më të mëdha në botë janë në Evropë, por pabarazia ekziston në të gjithë këtë kontinent.
Zyra Evropiane e Statistikave (Eurostat) i përkufizon të ardhurat e disponueshme të familjeve si të ardhurat që familja ka për konsum dhe kursime pas pagesës së taksave. Të ardhurat mesatare më të larta në vitin 2022 ishin në Luksemburg (33.214 euro për banor). Të ardhurat mesatare më të ulëta të disponueshme ishin në Shqipëri (4.385 euro për banor). S’pati të dhëna për Kosovën.
Të ardhurat mesatare për banor në pesë vendet nordike [Suedi, Norvegji, Finlandë, Danimarkë dhe Islandë] ishin më të larta se mesatarja e BE-së. Duke parë përqindjen, të ardhurat mesatare u rritën ndjeshëm nga viti 2017 në 2022. Rritja në nivelin e të gjithë BE-së arriti në 17 për qind.
Rritja më e madhe në përqindje ishte në Rumani (101 për qind), e ndjekur nga Serbia (68 për qind) dhe Lituania (66 për qind). Turqia është i vetmi vend në të cilin të ardhurat mesatare për banor janë ulur në periudhën 2017-2022. Kjo ulje arriti në 1000 euro ose 27 për qind. Në terma nominalë, rritja më e madhe në të ardhurat mesatare ishte në Luksemburg (8.995 euro), e ndjekur nga Irlanda (6.181 euro) dhe Holanda (5.976 euro).
/ www.emathja.com
© 2024, EMATHJA. All rights reserved.