Aroma e lëkurës ka të bëjë me ndërveprimet midis sekrecioneve të gjëndrave të lëkurës (si djersa) dhe baktereve në lëkurë. Me moshë, si sekrecionet e lëkurës, ashtu edhe bakteret kanë tendencë të ndryshojnë, duke krijuar ndryshime në aromën e trupit. Ky ndryshim i lehtë është normal, i natyrshëm për procesin e plakjes. Por ka edhe disa gjëra të tjera që mund të ndikojnë.
Ndryshimet hormonale që ndodhin gjatë menopauzës, mund të shkaktojnë një rritje të djersitjes, gjë që mund ta theksojë aromën e trupit. Gjithashtu edhe disa probleme apo sëmundje shëndetësore që janë të zakonshme me kalimin e moshës si diabeti, sëmundja e mëlçisë ose sëmundja e veshkave, mund të shkaktojnë këto ndryshime.
A MUND TA MBANI NËN KONTROLL?
Nuk ka shumë gjëra që mund të bëni për të ndryshuar aromën tuaj natyrale. Dhe shumica e njerëzve ndoshta as nuk e vënë re këtë ndryshim. Megjithatë higjiena e dobët dhe disa zakone të jetesës mund ta bëjnë erën e trupit të një personi më të fortë ose të pakëndshme.
Këto janë disa mënyra se si mund ta mbani atë nën kontroll:
BËNI DUSHE TË RREGULLTA
Aroma e padëshiruar e trupit mund të shkaktohet kur djersa, e cila është pa erë, përzihet me bakteret në sipërfaqen e lëkurës. Larja e rregullt me sapun mund të parandalojë grumbullimin e baktereve të lëkurës, kështu që kur djersiteni aroma nuk do të jetë shumë e fortë. Megjithatë, ju mund të mos keni nevojë të laheni çdo ditë. Të moshuarit janë të prirur të kenë lëkurë të thatë, dhe larja me sapu të ashpër ose ujë të nxehtë mund ta përkeqësojë gjendjen. Përpiquni të laheni disa herë në javë, dhe mbajeni temperaturën e ujit të ngrohtë (jo të nxehtë). Bëni një dush të shkurtër dhe më pas përdorni kremra për lëkurën në mënyrë që të bllokoni lagështinë.
PËRDORNI NJË ANTIDJERSË
Antidjersa bllokon përkohësisht gjëndrat e djersës së trupit për të ndaluar djersitjen, kështu që djersa nuk përzihet me bakteret dhe nuk prodhon erë. Ky produkt është i ndryshëm nga një deodorant, i cili maskon aromat, por nuk ndalon djersitjen.
/ www.emathja.com
© 2024, EMATHJA. All rights reserved.