iPhone 15 ka mbërritur. Siç pritej gjenerata e 17-të e iPhone zuri skenën e evenimentit Wonderlust duke sjellë disa risi jo krejt të panjohura për ne siç ishte Ishulli Dinamik që tashmë, ndryshe nga viti i kaluar është i disponueshëm për të gjithë ne.
Ka disa të reja e një prej tyre është padyshim porta e re e karikimit: USB-C. Apple ka vendosur tu bashkohet gjigantëve të tjerë të smartfonëve, një lëvizje e nxitur më shumë prej një ligji të ri Europian që standardizon portat e pajisjeve elektronike.
Ishte diçka që kompania e kontestoi por një lajm i madh për përdoruesit. Ishulli Dinamik tashmë përmban disa veçori të reja përfshirë informacion rreth biletave të udhëtimit. iPhone 15 ka ekranin Super Retina XDR në dy konfigurime 6.1-inç për modelin bazë dhe 6.7-inç për modelin Plus dhe prodhon një ndriçim normal prej 1600 nits por që mund të shkojë deri në 2000 nits nën dritën e diellit.
Kamera parësore ka sensor 48-megapiksel dhe përmes kombinimit të pikselëve prodhon imazhe 24-megapiksel.
Pajisja vjen me zmadhim të përmirësuar optik 2x i cili duhet të prodhojë imazhe me cilësore. Teknologjia e Machine Learning tashmë identifikon kur përpara kamerës gjendet një person apo një kafshë duke shtuar një efekt bokeh.
Modaliteti Smart HDR është përmirësuar gjithashtu duke shtuar identifikimin e thellësisë në kamerën selfie dhe dalluar objektet përpara kamerës.
Pajisja fuqizohet nga çipi A16 Bionic, që nuk është diçka e re pasi është përdorur në modelet e vitit të kaluar iPhone 14 Pro dhe Pro Max. Çipi përmban teknologjinë Ultra Wideband përmes të cilit funksionaliteti Find My përmirëson saktësinë, diçka që pamë edhe në Apple Watch Series 9.
Është përmirësuar izolimi i zërit për të hequr zhurmat në sfond. Telefoni vjen në pesë ngjyra: verdhë, jeshile, blu, zezë dhe rozë. iPhone 15 ka një çmim duke filluar nga 799 dollarë për një model 128 GB, dhe iPhone 15 Plus fillon nga 899 dollarë për një version 128 GB. Të dyja do të jenë të disponueshme më 22 shtator, me paraporositë duke filluar këtë të premte. /PCWorld Albanian
/ www.emathja.com
© 2024, EMATHJA. All rights reserved.