Përbërësit:
1kg sheqer,
0.4 kg gjalpë,
7-8 vezë,
1 kg miell misri i situr,
një grusht miell gruri,
1 filxhan kafeje qumësht,
Nevojitet:
Një enë e madhe bakri, apo qelqi.
Përgatitja:
Tretet gjalpi dhe lihet që të fundërrojnë kripërat e tij. Pastaj gjalpi i vakët dhe pa kripërat e rëna në fund rrihet me sheqerin derisa të bëhet një masë e bardhë. E mira është që rrahja e masës të bëhet me dorë, sepse përfundimi i përzierjes ndjehet kur të duket se prek fije me dorën që po përzien masën e krijuar. Ndërkohë, vezët janë përzier me qumështin më parë dhe shtohen dalëngadalë te sheqeri i rrahur, duke e vazhduar përzierjen e këtij të fundit. Pastaj hidhet miell dalëngadalë duke vazhduar përzierjen me dorë. Mielli i grurit hidhet nga fundi. Duhet pasur kujdes me hedhjen e miellit, sepse mielli i tepërt i bën të forta ballakumet pas pjekjes. Prandaj, pasi është harxhuar sasia e paracaktuar e miellit, brumi lihet 15-30 minuta në qetësi, pavarësisht se ai mund të duket i qullët. Kjo kohë mjafton që grimcat e miellit të thithin lagështirën e brumit të qullët. Nëse shihet se brumit ka mbetur përsëri si i qullët, atëherë atij mund t’i shtohet edhe një grusht miell. Kështu me këtë brumë ballakumet nuk do të shtrihen gjatë pjekjes.
Pjekja:
Tepsitë lyhen me pak gjalpë dhe spërkaten me pak miell. Pastaj, nga brumi tashmë i gatuar, formohen me dorë gurabijet me madhësi jo të vogël dhe vendosenn mbi tepsi të larguara nga njëra-tjetra. Paraprakisht furra është nxehur në 170 gradë Celsius. Futet tepsia në furrë dhe lihet aty derisa ballakumet të formojnë pak kore (jo të skuqen). Nxirret pastaj tepsia nga furra dhe lihet të ftohet, më qëllim që ballakumet të shkëputen lehtësisht nga ajo.
© 2021 – 2023, EMATHJA. All rights reserved.