Sezoni i uraganeve të Atlantikut të Veriut 2024, i cili pritet të fillojë më 1 qershor, parashikohet të jetë i pazakontë me katër deri në shtatë uragane të kategorisë 3 ose më shumë, sipas parashikimeve nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA.
Këto parashikime lidhen kryesisht me zhvillimin e pritshëm të fenomenit të motit La Niña në të ardhmen e afërt, si dhe me temperaturat shumë të larta të Oqeanit Atlantik, njoftoi NOAA.
“Këto parashikime janë një arsye për t’u shqetësuar, padyshim, por jo për panik”, tha Ken Graham, drejtor i Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA (NËS), duke u kërkuar amerikanëve të përgatiten për mundësinë e stuhive të forta.
Sezoni i uraganeve të Atlantikut të Veriut zgjat nga fillimi i qershorit deri në fund të nëntorit. Uraganët mund të jenë shkatërrues dhe kërcënues për jetën, veçanërisht në jug të Shteteve të Bashkuara.
Në vitin 2022, Uragani Ian goditi me ashpërsi të madhe Florida, duke shkaktuar dhjetëra vdekje dhe më shumë se 100 miliardë dollarë dëme materiale.
Në përgjithësi, me ngrohjen globale, uraganet po bëhen më të forta pasi ato nxiten nga oqeanet më të ngrohta sipërfaqësore, thonë shkencëtarët.
“Stina e lumtur e verës po bëhet gjithnjë e më shumë një kohë frike nga rreziku i afërt,” komentoi Astrid Kaldas, një shkencëtare me organizatën UCS (Union of Concerned Scientists). Është “jetike” të “zvogëlohen” emetimet e gazit serrë, shtoi ajo.
Ekspertët kanë paralajmëruar prej muajsh akumulimin e nxehtësisë në Oqeanin Atlantik, e cila është shumë e dëmshme edhe për koralet.
Fenomeni klimatik La Niña zhvillohet në Oqeanin Paqësor, por ka pasoja për të gjithë planetin. Në përgjithësi, kjo ka si pasojë nxitjen e një sezoni më intensiv të uraganeve në Atlantik. La Niña ka një shans 77% të formimit midis gushtit dhe tetorit, shpjegoi Rick Spinrad.
Fenomeni i kundërt, El Niño, ishte i pranishëm vitin e kaluar dhe kishte tendencë të kundërt, duke zbutur aktivitetin e uraganit në Atlantikun e Veriut.
“Përpara se të fillojë zyrtarisht sezoni i uraganeve, mesazhi im për amerikanët është ky: merrni një moment për të menduar për rreziqet me të cilat përballeni,” tha Eric Hooks, zëvendës administrator i Agjencisë Federale të Menaxhimit të Fatkeqësive (FEMA). “A keni medikamente që duhet të ruhen në frigorifer? Pajisje mjekësore që kërkojnë energji elektrike? Probleme të lëvizshmërisë që do ta bëjnë të vështirë daljen” nga shtëpia? “Tani është koha për t’i bërë vetes këto pyetje, për të kuptuar rreziqet dhe për të bërë një plan.”
/ www.emathja.com
© 2024, EMATHJA. All rights reserved.