Samsung debutoi versionet më të fundit të dy telefonëve me ekrane me palosje në evenimentin Unpacked 2024 mbajtur ditën e sotme. Galaxy Z Fold 6 dhe Z Flip 6 janë më të hollë, peshojnë më pak se paraardhësit ndërsa Fold 6 ofron përditësimin e shumëpritur të raportit të ekranit.
Të dy pajisjet gjithashtu kanë çmime më të larta, duke filluar nga 1,900 dollarë për Fold dhe 1,100 dollarë Flip, një rritje prej 100 dollarësh krahasuar me modelet e kaluara.
Ashtu siç pritej, Samsung u përqendrua edhe tek inteligjenca artificiale. Në total AI është përmendur 25 herë në njoftimin për mediat për pajisjet e reja duke thënë sesi Galaxy Z Fold 6 dhe Z Flip 6 e dërgojnë Galaxy AI në lartësi të reja.
Në zemër të telefonëve gjendet Snapdragon 8 Gen 3, i njëjti çip që fuqizonte Galaxy S24. Flagshipi i lançuar në Janar shënoi fillimin e fushatës Galaxy AI.
Të dy vinë me 12GB RAM, një përmirësim për Z Flip ku modeli i kaluar kishte 8GB RAM. Ky i fundit gjithashtu ka bateri prej 4,000 mAh.
Mbase ndryshimi më i madh për Z Flip 6 është sistemi i kamerave të pasme që ka në përbërje dy sensorë: 50-megapiksel kryesor dhe 12-megapiksel me kënd të gjerë. Sensorët janë të njëjtit përdorur në modelin standard Galaxy S24.
Nga ana tjetër Galaxy Z Fold vjen me një sensor të ri me kënd të gjerë prej 12-megapiksel por ruan të njëjtin sensor 50-megapiksel kryesor dhe atë telefoto prej 3x që janë përdorur në Z Fold 5.
Samsung ka rritur sasinë e ndriçimit të Z Fold 6 në 2,600 nits, po aq sa Galaxy S24. I njëjti optimizim është aplikuar edhe për Z Flip 6. Të dy modelet vinë me kasë me alumin të përmirësuar që kompania thotë se është 10 përqind më i fuqishëm.
Telefonët dalin në shitje më 24 Korrik. /PCWorld Albanian
/ www.emathja.com
© 2024, EMATHJA. All rights reserved.