Përbërësit:
- 4 fileta salmoni nga 200 gr,
- 3 dcl vaj ulliri,1 qepë,
- 4-5 domate të mëdha,
- 2-3 thelpinj hudhre,
- kripë,
- 1 lugëz e rrafshuar sheqer,
- disa fletë fesligjen (borzilok),
- 50 gr gjalpë,
- 1/5 kg spinaq të freskët,
- disa kokrra ulliri,
- majdanoz,
- 3 dcl verë të bardhë,
- 2 lugë uthull,
- 1 lugë gjalpë,
- 1 lugë miell,
- 2 dcl qumësht.
Përgatitja:
Çdo copë e salmonit pritet horizontalisht në tri fileta. Kriposen, u hidhet vaj ulliri dhe qëndrojnë në vend të ftohtë.
Qepa e grirë në rende fërgohet 4 minuta në vajin në të cilin është marinuar salmoni. Shtohet hudhra, përzihet 2-3 herë sa ta lëshojë aromën, pastaj shtohen domatet e qëruara dhe të prera në katrorë të vegjël. Në zjarr të ngadaltë zihen domatet 40 minuta. Para përfundimit, hidhet 1 lugëz sheqer, kriposet sipas shijes dhe hidhet fesligjen i prerë imët ose i tharë. Në vend të salcës së përgaditur, mund të përdoren 4 lugë pure domatesh e gatshme, por ajo e përgaditur është më e shijshme.
Gjethet e spinaqit përvëlohen, kullohen, fërgohen në gjalpë 2 minuta. Në një lugë gjalpë fërgohet mielli 1-2 minuta. Shtohet qumështi dhe, duke e përzier vazhdimisht, vlohet salca edhe 3-4 minuta gjersa të trashet.
Në tepsi të lyer me yndyrë radhiten 4 fileta salmoni, mbi vihen fleta spinaqi, pastaj beshamelli e mbi të purea e domateve. Prapë vihet nga një filetë salmoni, spinaq, beshamell dhe mbulohet me salmon. Hidhen verë dhe uthull dhe futet në furrë të nxehtë me temperaturë 200 gradë C për t’u pjekur për afro 15 minuta. Salmoni i pjekur vendoset në 4 pjata e përreth, derdhet lëngu në të cilin janë pjekur. Zbukurohet me ullinj dhe fleta majdanozi.
© 2021 – 2023, EMATHJA. All rights reserved.